Një ndërtesë 7-katëshe u shemb sot në distriktin Gebze të provincës Kocaeli, Turqi, duke lënë të paktën pesë persona të bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet kanë nisur operacione intensive kërkim-shpëtimi me 147 punonjës, përfshirë ekipe nga AFAD, zjarrfikësit, policia dhe organizata të tjera. Në vendngjarje po përdoren edhe qentë shpëtimtarë, pajisje për zbulimin e rrënojave, dronë dhe automjete speciale.
Guvernatori İlhami Aktaş deklaroi se shkaku i shembjes ende nuk dihet, ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i personave të mbetur poshtë rrënojave.
Sipas raportimeve, pesë anëtarë të një familjeje ndodheshin në ndërtesë në momentin e incidentit. Dëshmitarët raportojnë se kanë dëgjuar zëra nga nën rrënoja, ndërsa dyshohet se shembja mund të ketë ndodhur për shkak të punimeve nëntokësore që po kryheshin pranë ndërtesës.






