Është mbajtur sot në Tiranë takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Kryetari i delegacionit të Bashkimit Evropian, Marco Tarquinio, gjatë fjalës së tij u ndal te klima politike në vend, duke theksuar nevojën për një qasje më bashkëpunuese mes pozitës dhe opozitës.
“Është e qartë që ka debate mes pozitës dhe opozitës, por është nevoja për një klimë më të qetë, që kur të vijmë ne të marrim pjesë në këtë punë të përbashkët. Kjo i tregon edhe BE-së dhe u jep sinjal edhe vendeve të tjera se punohet bashkë, me ide miqësore”, tha Tarquinio.
Ai theksoi se procesi i integrimit evropian kërkon koordinim të përpjekjeve të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
“Duhet të shohim edhe veten, pasi kur ndodh një zgjerim i BE-së, rriten një sërë çështjesh. Ne, si BE, duhet të shohim se si po ecim. Përpjekjet tona duhet të jenë të koordinuara me përpjekjet tuaja”, u shpreh ai.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave, duke e cilësuar si mbresëlënës progresin në hapjen dhe negocimin e kapitujve.
“Ajo që po ndodh në Shqipëri është spektakolare sa i takon negocimit të kapitujve, është mbresëlënëse, por gjatë punimeve sot do ta konfirmojmë faktin se lipset jo vetëm të miratojmë reforma, por edhe që ato të vihen në zbatim në terren”, tha Tarquinio.
Sipas tij, zbatimi i reformave mbetet një çështje që kërkon ndjekje edhe nga institucionet shqiptare.
“Kjo është diçka që u takon edhe zyrtarëve tuaj që ta ndjekin”, shtoi ai.
Tarquinio u shpreh gjithashtu se në këtë fazë nevojitet angazhim më i madh nga institucionet që përfaqësojnë qytetarët dhe vendet anëtare të procesit të zgjerimit.
“Jeni një demokraci e re, e fortë, e gjallë, që u bën thirrje atyre që kanë detyrën të përfaqësojnë. Ne po ndjekim me shumë vëmendje gjithçka që po zhvillohet këtu”, tha ai.
Ai përmendi edhe vijimin e kontakteve dhe takimeve ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të mendimeve dhe bashkëpunimit.
“A do të ketë apo jo një objekt turistik në një vend kaq të bukur dhe të rëndësishëm, është çështje që ndiqet me interes. Do të mbajmë vesh me vëmendje për gjithçka që do të thuhet”, e mbylli ai fjalën e tij.





