Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, i plagosur në atentatin mafioz pranë Aeroportit të Rinasit, rezulton se shërbente prej tre muajsh si agjent në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) — por pa pasur certifikatën e sigurisë të nevojshme për këtë detyrë sensitive.
Sipas burimeve mediatike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka konfirmuar se Shaljani nuk dispononte certifikatë sigurie, një dokument i domosdoshëm për akses në informacione të klasifikuara dhe për detyra hetimore brenda AMP-së.
Kjo ka çuar në nisjen e një hetimi të brendshëm për të zbardhur rrethanat e punësimit të tij në institucion. Burime pranë AMP-së bëjnë me dije se Sheqeri është punësuar në shtator, në kohën kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.
Ngjarja ka ngritur dyshime të forta për mënyrën e përzgjedhjes dhe verifikimit të punonjësve në strukturat e sigurisë, ndërkohë që Shaljani ndodhet ende nën kujdes mjekësor, pas plagëve të marra gjatë atentatit ku u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.






