Deputetët e opozitës i janë drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës me një kërkesë për rikthimin në Kuvend të ligjit për Barazinë Gjinore, i miratuar javën e kaluar me 77 votat e mazhorancës. Sipas tyre, ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe përmban elementë që, siç pretendojnë, cenojnë parimet themelore të rendit juridik dhe shoqëror.
Në kërkesën e deputetëve demokrate listohen një sërë argumentesh për antikushtetutshmërinë e ligjit, ndërsa kërkohet që Presidenti të ndërhyjë duke përdorur kompetencën e tij kushtetuese për kthim të aktit normativ në rishqyrtim.
Opozita: “Presidenti është përpara një prove historike”
Në dokumentin drejtuar kreut të shtetit, theksohet se Presidenti po përballet me një moment kyç:
“A do të mbrojë parimet e Kushtetutës, të arsyes dhe të lirisë, apo do të dorëzohet para imponimit të ideologjisë?”
Deputetët kërkojnë që ligji të mos dekretohet, duke pretenduar se ai krijon përçarje dhe devijon nga traditat dhe vlerat e shoqërisë shqiptare. Në kërkesë nënvizohet gjithashtu se komunitetet fetare kanë shprehur shqetësime për përmbajtjen e ligjit dhe ndikimet që mund të ketë në jetën publike.
“Ju kërkojmë që të paktën një herë të ngriheni në lartësinë e detyrës, të ndaloni përçarjen dhe të ruani traditën shqiptare. Asnjë rregull nuk mund të imponohet në kundërshti me përfaqësuesit e komuniteteve fetare,” – thuhet në kërkesë.
Çfarë pritet?
Sipas nenit 85 të Kushtetutës, Presidenti ka të drejtën të kthejë për rishqyrtim ligjet e miratuara nga Kuvendi. Nëse ai vendos të ushtrojë këtë kompetencë, deputetët e mazhorancës do të duhet të votojnë sërish ligjin.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Presidenca, ndërsa çështja pritet të zhvillohet në ditët në vijim.






