Një konflikt i rëndë ka ndodhur sot në burgun e Reçit, në Malësinë e Madhe, ku dy të dënuar janë përplasur fizikisht, duke pësuar dëmtime serioze. Të përfshirë në sherr janë Astmer Bilali dhe Mikel Thani, të cilët pas incidentit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Burgut në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orarit të drekës, kur një debat mes tyre ka degraduar shpejt në dhunë. Burime nga institucioni bëjnë me dije se situata është përshkallëzuar më tej pasi Thanit i janë bashkuar edhe disa të burgosur të tjerë. Rojet e burgut kanë ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin, ndërsa të dy të dënuarit kanë marrë plagë të shumta në trup.
Mikel Thani është arrestuar në vitin 2015, i dyshuar për plagosjen e prindërve të ish-të fejuarës dhe një të miture. Ndërsa Astmer Bilali është i arrestuar në kuadër të hetimeve të dosjes “Metamorfoza”.
Ky nuk është rasti i parë i dhunës në burgun e Reçit. Pak kohë më parë, një tjetër përplasje mes Safet Bajrit dhe Sokol Sanxhaktarit përfundoi gjithashtu me të lënduar, duke rikthyer vëmendjen mbi sigurinë brenda këtij institucioni penitenciar.






