Dy shtetas, Eduart Mema dhe Edison Sinani, janë arrestuar pasi tentuan të trafikonin 34 kilogramë kanabis drejt Greqisë.
Sipas policisë, droga ishte fshehur në shasinë e automjetit dhe e ndarë në 44 pako. Arrestimi u krye në urën e fshatit Kardhiq, Gjirokastër, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar hetimor dhe operacional.
Operacioni, i koduar “Ura”, u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e tentativave për trafik droge drejt Greqisë.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë Eduart Mema, 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë, dhe Edison Sinani, 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha detajet e këtij rasti dhe për të identifikuar të tjerë të përfshirë në trafik.






