Një 32-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në ambientet e dhomave të paraburgimit të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Viktima është identifikuar si Enea Shparthi, banues në Vlorë, i cili ishte arrestuar në flagrancë mbrëmjen e 29 gushtit nga efektivët e Komisariatit të Vlorës, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 09:50, 32-vjeçari është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore në dhomat e shoqërimit, ku mbahej i arrestuar. Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor, ndërsa i riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar humbjen e jetës.
Paraprakisht dyshohet se Enea Shparthi ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, por shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
32-vjeçari ndodhej në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Vlorës pasi ishte arrestuar në flagrancë. Sipas procedurës, ai pritej që brenda afatit ligjor prej 72 orësh të dilte përpara Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të rastit.





