Në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvend po zhvillohet interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja, Blushi ka ngritur akuza të forta ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke deklaruar se sistemi i burgjeve dhe paraburgimit në Shqipëri ka humbur funksionin e tij rehabilitues dhe është shndërruar në një mekanizëm dhune dhe frike institucionale.
Sipas deputetit të Partisë së Lirisë, institucionet e vuajtjes së dënimit funksionojnë sot si struktura “çnjerëzore”, larg çdo standardi ligjor dhe njerëzor. Ai theksoi se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi ministrin e Drejtësisë, të cilin e akuzoi për dijeni dhe mosveprim.
“Ju kam thirrur në interpelancë për të dhënë llogari për një krim shtetëror të kryer me vetëdije, ku institucionet e rehabilitimit janë kthyer në makineri dhune, frike dhe terrori institucional. Këto institucione janë të denja për republika bananesh,” u shpreh Blushi.
Deputeti theksoi se viktima të këtij sistemi nuk janë vetëm të paraburgosurit dhe të dënuarit, por edhe vetë punonjësit e sistemit penitenciar. Sipas tij, gardianët janë lënë pa mbështetje dhe janë shndërruar në “skllevër” të një sistemi të keqmenaxhuar dhe represiv.
Interpelanca pritet të vijojë me përgjigjet e ministrit Lamallari dhe debatet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa çështja e gjendjes në burgje mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe të debatueshme në Kuvend.






