Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 58-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka vrarë nënën e tij 86-vjeçare dhe më pas e ka varrosur trupin në një zonë pyjore pranë Palazzina di Caccia, në Torino.
Sipas mediave italiane, alarmi u ngrit nga një e afërme e të moshuarës, Enrica Bardotti, e cila kishte humbur kontaktet me të prej disa kohësh. Pas denoncimit, policia mori në pyetje djalin e saj lidhur me zhdukjen.
Fillimisht, 58-vjeçari deklaroi se nëna kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale dhe se ai e kishte varrosur në pyll. Më vonë, ai ndryshoi dëshminë dhe pranoi krimin, duke pretenduar se kishte vepruar nga frika se do të humbiste pensionin e saj, që sipas tij ishte i vetmi burim të ardhurash.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.






