Këngëtarja e njohur shqiptare, Jonida Maliqi, ka folur për herë të parë hapur për divorcin pas 17 vjetësh martese dhe për periudhën e vështirë që pasoi, sidomos për shkak të përgjegjësive ndaj djalit të saj, Danit.
Në një intervistë me Arbana Osmanin, Maliqi rrëfeu se divorci e ka përjetuar fillimisht si një dështim personal: “Për mua ishte dështim divorci… Sot mendoj që divorci nuk është dështim, divorci është mësim. Është shumë e vështirë të krijosh një marrëdhënie në moshë shumë të vogël dhe të pretendosh se do të jetosh gjithë jetën me të njëjtin partner.”
Artistja foli gjithashtu për fuqinë që i ka dhënë mëmësia, duke theksuar: “Mëmësia të tjetërson, me mëmësinë ti fiton një lloj sigurie që s’ta jep askush në botë. Instinktet e mia u bënë më të dukshme. Kam qenë gjithmonë një nënë e dëshiruar.”
Por rrëfimi i Jonidës u shndërrua në tërheqje emocionale kur kujtoi momentin kur mori vesh se djali i saj Dani ishte “ndryshe nga fëmijët e tjerë”: “Ka qenë një moment ku më është dashur të përballem me një situatë që ishte drama e jetës sime… Kam menduar se nuk kishte shpresë dhe kam dashur t’i jap fund jetës.”
Megjithatë, Dani është sot një burim i madh lumturie dhe dashurie për këngëtaren: “Mua më ka bekuar Zoti me Danin. Unë kam një fëmijë që më jep dashurinë që s’do ma jepte asnjë mashkull në botë dhe jam shumë e lumtur që është një burrë.”
Rrëfimi i Jonidës nxjerr në pah forcën e saj personale dhe dashurinë pa kushte të një nëne për fëmijën e saj, duke lënë mesazhe të forta për përballimin e sfidave dhe gjetjen e lumturisë edhe pas periudhave më të errëta.






