Shumë shtete në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën, po raportojnë për raste të infektimeve me koronavirus te personat që janë vaksinuar kundër tij. Infektimet e të vaksinuarve, kryesisht po i atribuohen variantit Delta të koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi.
Në Kosovë, deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se dhjetë persona të vaksinuar plotësisht janë infektuar me koronavirus, por kanë shtuar se gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
The New England Journal of Medicine më 28 korrik ka publikuar njëstudim, ku janë analizuar të dhënat e pothuajse 11.500 punonjësve shëndetësorë, të vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer, të cilët punojnë në Qendrën Mjekësore Sheba, në afërsi të Tel Avivit në Izrael.
Studimi ka gjetur se personat e vaksinuar, që kanë nivele më të larta të antitrupave, kanë më pak gjasa që të infektohen me koronavirus.
Pas testimeve të vazhdueshme prej fundit të janarit deri në fund të prillit, janë identifikuar 39 punonjës të infektuar, pavarësisht se ishin plotësisht të vaksinuar. Studimi gjeti se të gjithë kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma, por 19 për qind e tyre kishin përjetuar simptoma edhe gjashtë javë pas diagonistikimit.
Nga 39 punëtorët e infektuar, në 22 prej tyre, autorët e studimit kanë gjetur se kanë pasur antitrupa në ditën e infektimit ose një javë më pas. Më pas studiuesit kanë analizuar nivelin e antitrupave të personave të infektuar, ku është parë se niveli i antitrupave ka qenë më i ulët.
Ndërkaq, sipas një studimi të kryer nga Qendrat e Kontrollit për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) të publikuar në fund të korrikut, janë analizuar infektimet që kanë ndodhur në Barnstable. Rreth 74 për qind – apo 346 raste – e të infektuarve kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Nga këto raste, 79 për qind kanë e pacientëve kanë pasur simptoma. Sipas analizave të kryera, varianti Delta ka qenë përgjegjësi kryesor i këtyre infektimeve.
Përhapja e variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti origjinal i koronavirusit, ka bërë që shumë shtete të përballen me rritjen e rasteve dhe disa prej tyre kanë rikthyer edhe mbajtjen e maskave, siç është edhe rasti i SHBA-së.
Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me koronavirus, por ata që infektohen me Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar.
“Niveli i lartë i ngarkesave virale sugjeron për rrezik të transmetimit dhe rrit shqetësimet se, për dallim nga variantet tjera, njerëzit e vaksinuar, që infektohen me variantin Delta, mund ta transmetojnë virusin”, tha më 30 korrik, drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, raportoi CNN.
Para shfaqjes së variantit Delta të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi në tetor të vitit të kaluar, vaksinimi u tha si parandalues i përhapjes së transmetimit të virusit. Jo vetëm që njerëzit e vaksinuar kishin më pak ngarkesa virale, por gjithashtu personat e vaksinuar, që infektoheshin me virus, kishin simptoma më të buta të sëmundjes dhe e kalonin më shpejt atë.
Por, hulumtimet tregojnë se Delta përhapet në mënyrë më agresive. Në korrik, shembull, shkencëtarët kinezë thanë se varianti Delta kishte pothuajse ngarkesë virale 1.000 herë më shumë se variantet e mëhershme.
Sipas raportit të CDC-së, varianti Delta është më i transmetueshëm se variantet e tjera, të cilat thuhet se e kanë fuqinë e transmetimit po aq sa edhe gripi sezonal. Kjo nënkupton se në kushte të caktuara, një person i infektuar me variantin fillestar të COVID-19 mesatarisht mund të infektojë dy deri në tre persona të tjerë. Por, një person i infektur me variantin Delta mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë.
“Ky është një prej viruseve më të transmetueshme që ne njohim”, ka thënë për CNN Walensky.
Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), ka thënë se personat e moshuar janë më të rrezikuarit që të infektohen me koronavirus edhe pas vaksinimit.
“Infektimet në mesin e personave të vaksinuar plotësisht priten, veçanërisht në mesin e të moshuarve ose personave që kanë sëmundje. Vaksinat parandalojnë në masë të madhe sëmundjen e rëndë, megjithatë ne ende shohim se raste që përfundojnë në spital apo edhe në vdekje në mesin e këtyre popullatave”, ka thënë ECDC-ja.
/REL