Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Roskovec, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj dyshohet se ka vrarë me armë gjahu bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, dhe më pas ka humbur jetën.
Sipas burimeve nga policia, djali i çiftit ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Fier për një konsultë mjekësore, fakt i verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë. Ai ka treguar se i ati ishte person me natyrë konfliktuale dhe se një debat i fundit kishte ndodhur rreth 10 ditë më parë për një çështje banale në oborrin e shtëpisë, konflikt që kishte përfunduar edhe në komisariat.
Sipas dëshmisë, nëna e tij i dilte shpesh në krah djalit gjatë përplasjeve familjare. Pas kthimit nga Fieri, ai ka gjetur prindërit pa shenja jete në banesë, duke njoftuar fillimisht një të afërm dhe më pas policinë.
Hetimet paraprake tregojnë se arma e përdorur ishte e vjetër dhe dyshohet se ishte mbajtur e fshehur nën tokë. Ajo rezulton të jetë shkrepur dy herë, duke shkaktuar vdekjen e gruas dhe më pas të vetë autorit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi familjare.






