Një nënë ka denoncuar me lot në sy veprimet e institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas saj kanë liruar nga burgu personin që aksidentoi për vdekje djalin e saj të vetëm, i lindur pas gjashtë motrave.
Pashame Muçaj rrëfeu për emisionin investigativ “Fiks Fare” se policia, prokuroria dhe gjykata nuk kanë vepruar siç duhet për aksidentin tragjik të ndodhur më 17 shkurt 2025, në afërsi të Qafës së Kasharit, në autostradën Tiranë–Durrës, ku humbi jetën djali i saj, Gëzim Muçaj.
Nga aksidenti ndërroi jetë edhe Ervin Qiro, pas disa ditësh në gjendje kome. Ndërkohë, dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Shkëlqim Doçi qëndroi rreth 40 ditë në koma dhe vijon të përballet me pasoja serioze shëndetësore, ndërsa Eduart Pipa pësoi fraktura të rënda në këmbë.
Sipas familjarëve, autori i aksidentit, Ismail Laçe, u lirua vetëm 72 orë pas arrestimit. Fillimisht ai u hetua në gjendje të lirë dhe aktualisht po gjykohet me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
“Mua më është aksidentuar djali 27 vjeç dhe ai që e shtypi është brenda në shtëpi, ndërsa djali im po kalbet në tokë. Nuk e di kush e ka nxjerrë pa dhënë asnjë lloj të drejte. Unë mund të shkoj edhe në vetëgjyqësi. Atë ditë djali kishte dalë për të marrë punëtorët. Më pas ka ardhur tjetri me shpejtësi dhe i dehur. Kanë qenë katër persona, dy humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Djali im ndërroi jetë në vend”, u shpreh mes lotësh Pashame Muçaj.
Ajo pretendon se familja nuk është informuar siç duhet për ecurinë e hetimeve dhe vendimet e marra nga organet e drejtësisë.
“Ka qenë me shpejtësi dhe e ka vrarë. Ne nuk na lajmëruan për hetimet. Vetëm kur na sollën një letër mësuam se autori ishte në shtëpi. E mbajtën 72 orë dhe më pas e liruan. Ne nuk kemi firmosur asnjë dokument faljeje dhe nuk kemi dhënë asnjë deklaratë”, tha ajo.
Rasti ka rikthyer debatet mbi trajtimin e aksidenteve me pasoja fatale dhe masat e sigurisë që vendosen ndaj drejtuesve të automjeteve të përfshirë në ngjarje të rënda rrugore.





