Një operacion i gjerë ndërkombëtar i koduar “Easy Money” ka goditur një rrjet të sofistikuar pastrimi parash që dyshohet se financonte dhe pastronte të ardhurat e organizatave mafioze italiane dhe grupeve kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës.
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar në Marbella një shtetase italiane, e konsideruar si drejtuesja e të ashtuquajturës “qeliza iberike” e organizatës kriminale. Sipas hetimeve, kjo strukturë vepronte si një “bankë klandestine” që qarkullonte çdo vit mes 80 dhe 100 milionë euro në Europë, për të paktën tre vite radhazi.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Spanjë dhe Itali nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore i Agjencisë Tatimore dhe Policia e Shtetit, në koordinim me Eurojust, Europol dhe Prokurorinë Speciale Kundër Drogës.
Si funksiononte rrjeti
Sipas Ministrisë së Financave të Spanjës, “qeliza iberike” kishte bazën operative në Malaga dhe merrej me mbledhjen e parave cash nëpërmjet dyqaneve të veshjeve të vendosura në zona industriale të Madridit, Seviljes dhe Malagës.
Paratë më pas kanalizoheshin në një bankë ilegale transnacionale, e cila operonte që prej vitit 2021 dhe drejtohej nga një shtetas kinez me banim në Prato të Italisë.
Hetuesit zbuluan se organizata përdorte sistemin informal të transferimit të parave “hawala”, i njohur në variantin kinez si “Fei-Ch’ien”, një mekanizëm që mundëson lëvizjen e kapitaleve pa kaluar përmes sistemit bankar tradicional.
Përmes këtij rrjeti, fondet transferoheshin virtualisht mes Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, ndërsa ndërmjetësit përfitonin komisione për çdo transaksion.
Trafikantë shqiptarë mes klientëve kryesorë
Sipas deklaratës zyrtare, klientët e kësaj banke klandestine ishin “kartele të rrezikshme” trafikantësh shqiptarë të drogës të vendosur në veri dhe qendër të Italisë, si dhe organizata mafioze italiane.
Autoritetet dyshojnë se rrjeti ka luajtur një rol kyç në pastrimin e fitimeve të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve dhe aktivitete të tjera kriminale.
Bastisje, arrestime dhe pasuri të sekuestruara
Arrestimi i gruas italiane në Marbella u krye në zbatim të një Urdhri Evropian Arresti dhe Dorëzimi. Paralelisht, u ekzekutuan dhjetë urdhra kontrolli në kompani dhe banesa të lidhura me organizatën.
Gjatë bastisjeve u sekuestruan dokumente, kontabilitet i fshehtë “B”, para cash dhe pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme.
Ndërkohë në Itali, operacioni ka çuar në arrestimin e 40 personave për vepra penale që lidhen me trafik droge, emigracion të paligjshëm dhe pastrim parash. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 60 milionë euro.
Hetuesit vlerësojnë se organizata kriminale ka qarkulluar nga 80 deri në 100 milionë euro në vit, duke e kthyer “Easy Money” në një nga goditjet më të mëdha ndaj pastrimit të parave në Europë gjatë viteve të fundit.





