Emiljano Nina, kushëriri i ish-bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, është arrestuar te dera e banesës së Ilir Selmanit, i cili është dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko dhe së fundmi ishte vendosur në “arrest shtëpie” me vendim të Apelit të Posaçëm.
Sipas informacioneve paraprake, Nina është ndaluar nga forcat e rendit në momentin kur ndodhej pranë banesës së Selmanit dhe dyshohet se kishte armë me vete. Rrethanat e sakta të pranisë së tij në atë vend mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi.
Emiljano Nina njihet nga autoritetet për disa episode të mëparshme dhe është përmendur në media edhe për një aksident të bujshëm në gusht 2023 pranë Liqenit Artificial, ku një automjet me shpejtësi të lartë doli nga rruga dhe përfundoi në zonën e digës së liqenit.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur lidhjet dhe motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje.





