Policia ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar, ku një shtetase amerikane 48-vjeçare me iniciale Sh.I., e cila banonte në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasja kishte porositur një pako të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda së cilës gjatë kontrollit në doganë u konstatuan karamele në formë xhelatine me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me një peshë totale rreth 572 gramë.
Pas zbulimit të rastit në doganë, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar për të identifikuar marrësin e dërgesës. Një agjent i Antidrogës, i infiltruar si postier, dorëzoi pakon në adresën e shtetases amerikane.
Menjëherë pasi ajo e mori pakon në dorëzim, forcat e policisë ndërhynë duke e arrestuar në flagrancë.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka deklaruar: “Nuk e kam porositur këtë pako”, duke mohuar çdo përfshirje në dërgesën e lëndës së dyshuar narkotike.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e saktë të pakos, si dhe për të verifikuar deklarimet e saj.





