Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, nga ku ka përcjellë edhe një mesazh të tij për qytetarët e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza shkruan se Thaçi i ka kërkuar t’ua përcjellë të gjithë qytetarëve përshëndetjet e tij më të përzemërta.
“Presidenti Hashim Thaçi më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve. Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.
Në fund të reagimit të tij, kreu i PDK-së e ka mbyllur postimin me një mesazh simbolik:
“Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”
Mesazhi i Hamzës vjen vetëm pak pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan se aktgjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të shpallet më 16 shtator 2026.





