Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme dhe nesër në disa qarqe të vendit do të ketë rrezik të shtuar për zjarre, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve.
Sipas IGJEO-s, niveli i rrezikut është i lartë në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier, ndërsa në Shkodër, Tiranë, Berat dhe Vlorë parashikohet rrezik i moderuar, me zona të veçanta ku niveli mund të arrijë deri në të lartë.
Ndërkohë, në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër pritet nivel i ulët rreziku.
Instituti thekson se situata pritet të jetë edhe më kritike gjatë ditës së nesërme, kur rreziku për përhapjen e zjarreve do të rritet.
Sa i përket motit, gjatë pasdites së sotme dhe nesër nuk parashikohen reshje. Temperaturat do të luhaten nga 21 deri në 31°C në bregdet, 19 deri në 34°C në zonat e ulëta dhe 13 deri në 27°C në zonat malore.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa herë pas here në zonat malore dhe përgjatë bregdetit mund të jetë e fortë.





