Shqipëria do të zhvillojë gjatë muajit tetor Censin e Bujqësisë, një proces kombëtar që synon të regjistrojë çdo metër tokë të mbjellë dhe të numërojë çdo kafshë të gjallë në stalla. Censi i fundit është realizuar nga INSTAT 14 vite më parë.
Projektligji për Censin e Bujqësisë u diskutua këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë, ku nuk munguan debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës e cilësuan regjistrin të vonuar dhe ngritën pikëpyetje mbi mënyrën se si janë hartuar deri më tani politikat mbështetëse për sektorin.
“Si janë hartuar deri tani pikërisht politikat bujqësore, subvencionet, skemat e mbështetjes dhe planifikimi për fondet IPARD, nëse qeveria vetë pranon se nuk ka pasur të dhëna të besueshme, kur vetë RIRA pranon se nuk ka të dhëna të konsoliduara?”, u shpreh deputetja e PD-së, Ledina Allolli.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, kundërshtoi këtë pretendim.
“Unë nuk do të thoja se nuk ka të dhëna. MBZHR, së bashku me INSTAT-in, mbledh të dhëna vjetore për veprimtarinë bujqësore nga sistemi i AREB-ve, i cili është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi ai.
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ikonomi, dha detaje mbi organizimin e procesit.
“Nga pikëpamja operacionale, informacioni statistikor do të mblidhet në terren nga një armatë prej 3.400 punonjësish, që janë anketuesit në terren. Ata do të menaxhohen nga 640 kontrollorë dhe nga të gjithë punonjësit e INSTAT-it, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë”, tha Ikonomi.
Procesi i Censit të Bujqësisë do të kushtojë 8.9 milionë euro dhe pritet që brenda gjashtë javësh nga përfundimi i mbledhjes së të dhënave, INSTAT të disponojë një panoramë të plotë dhe të përditësuar të bujqësisë shqiptare.
Në përfundim të mbledhjes, Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin për Censin e Bujqësisë, ndërsa miratimi përfundimtar pritet të bëhet në seancën plenare të Kuvendit.
Ndërkohë, në Progresraportin e vitit 2025, Bashkimi Evropian i ka lënë INSTAT-it një sërë detyrash që duhet të përmbushen përpara nisjes së procesit në terren, duke përfshirë forcimin e burimeve njerëzore, logjistikës dhe infrastrukturës.





