Një hetim i tabloidit britanik The Sun ka zbuluar një metodë të re të kontrabandës së emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku sipas gazetës, bandat shqiptaro-britanike po përdorin superjahte luksoze për të shmangur kontrollet kufitare dhe për të transportuar emigrantë, mes tyre edhe persona të dëbuar më parë nga Britania.
Sipas hetimit, jahtet ngjallin shumë më pak dyshime sesa varkat e vogla që nisen nga brigjet franceze. Ato ankorohen në marina të vogla dhe shmangin kontrollet e rrepta të porteve kryesore.
Për të testuar rrjetin, një gazetar i The Sun u paraqit si një shtetas shqiptar i dëbuar nga Britania pas vuajtjes së një dënimi në burgun Wandsworth të Londrës. Kontakti fillestar u bë përmes një reklame në TikTok, ndërsa më pas biseda vijoi në WhatsApp.
Një prej organizatorëve i ofroi gazetarit një vend në një jaht që nisej nga Holanda drejt brigjeve britanike, kundrejt pagesës prej 15,500 paundësh.
“Kam një vend të lirë në anije sot. Një jaht të madh, një luksoz. Pranojmë vetëm para në dorë. Ne pranojmë para vetëm në Shqipëri,” i tha ai.
Pasi gazetari kërkoi të shihte jahtin përmes një video-telefonate, një tjetër anëtar i grupit mori telefonin dhe u përpoq ta siguronte se udhëtimi ishte i sigurt.
“Kam katër persona në të njëjtën situatë si ju që do të jenë në këtë udhëtim pas disa ditësh. Mos u shqetësoni për këtë. Kemi shpenzuar 50,000 euro për të marrë me qira një jaht për këtë punë,” tha ai.
Sipas kontrabandistit, jahti do të drejtohej nga kapitenë shqiptarë dhe nuk do të transportonte më shumë se dhjetë persona.
“Dhjetë ditë më parë, ne dërguam me sukses 11 djem. Po ju dërgoj mesazhe nga katër djem që kanë qenë në burg në Mbretërinë e Bashkuar,” shtoi ai, duke pretenduar se rrjeti kishte realizuar me sukses kalime të tjera.
Ai shpjegoi gjithashtu se pagesa duhej dorëzuar nga një familjar në një kafene në Shqipëri, ndërsa pas mbërritjes pranë Doverit emigrantët do të merreshin nga shoferë dhe do të transportoheshin drejt Londrës.
“Mos u frikësoni, në rregull?”, ishte mesazhi i fundit i kontrabandistit.
Hetimi vjen pas një raportimi të mëparshëm të The Sun, sipas të cilit 4,614 persona kanë hyrë sërish në Britani gjatë pesë viteve të fundit, edhe pse ishin dëbuar më parë. Nga këta, 723 persona janë deportuar dy ose më shumë herë.
Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të rasteve, me 1,525 persona të identifikuar se janë rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar pas dëbimit.
Zëdhënësi i Reform UK për çështjet e brendshme, Zia Yusuf, e cilësoi situatën si një dështim të politikave të emigracionit.
“Ndërsa publiku britanik përpiqet të përballojë miliarda paund të shpenzuara për migrimin e paligjshëm, kontrabandistët e njerëzve na tallen duke na shfaqur pasurinë e tyre para hundëve tona. Konservatorët e shndërruan Britaninë në një derë rrotulluese për migrimin e paligjshëm, dhe Partia Laburiste refuzon ta rregullojë atë,” deklaroi ai.
Sipas hetimit, rrjetet që përdorin jahtet nuk janë raste të izoluara. Në maj të këtij viti, autoritetet britanike arrestuan pesë persona pasi një jaht me shtatë emigrantë u kap në jug të Anglisë.
Ndërsa në mars, dy shtetas ukrainas u dënuan me pesë dhe gjashtë vite burg për organizimin e transportit të pesë shqiptarëve dhe një vajze vietnameze drejt Britanisë me një jaht, kundrejt pagesës prej 13 mijë paundësh për person.
Gazeta britanike bën të ditur se ia ka përcjellë materialin TikTok-ut, i cili mbylli llogarinë e përdorur nga kontrabandistët brenda një ore, duke argumentuar se ajo shkelte rregullat e platformës për trafikimin e qenieve njerëzore. Dosja pritet t’i dorëzohet edhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 11 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla vetëm gjatë këtij viti, ndërsa autoritetet britanike paralajmërojnë se moti i favorshëm mund të sjellë një rritje të mëtejshme të kalimeve të paligjshme.





