Një konflikt mes disa personave është regjistruar mbrëmjen e së hënës pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë, ku një 34-vjeçar ka mbetur i plagosur pas përdorimit të thikës.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Frosina Plaku”, pranë zonës së 21 Dhjetorit. Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes disa personave ka agravuar, duke përfunduar me plagosjen e Ardit Islamajt, 34 vjeç.
I plagosuri ka marrë një goditje me thikë në gjoks dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë identifikuar autorin e dyshuar, si edhe personat e tjerë të përfshirë në konflikt.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje.





