Personi që shihni në foto është Shtjefën Ziçi, 62-vjeçari i arrestuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij në Shkodër.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00 në zonën e unazës lindore të qytetit, ku dyshohet se 62-vjeçari ka qëlluar me armë gjahu bashkëshorten e tij, Bardhe Ziçi, 55 vjeçe.
Si pasojë e plagëve të marra, 55-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje, në oborrin e banesës së familjes.
Pas krimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit, ndërsa arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vrasja është sekuestruar si provë materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi shkaqet e krimit.





