Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Bulqizë, ku shtatë qytetarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, janë nxjerrë në siguri falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë dhe strukturave të emergjencës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë reaguan menjëherë pas një telefonate për ndihmë nga një qytetar, i cili njoftoi se ai dhe gjashtë familjarë të tij kishin mbetur të izoluar në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, për shkak të rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit në lumin Drini i Zi.
Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin e zjarrfikësve, u organizua një operacion shpëtimi, gjatë të cilit të shtatë qytetarët u evakuuan me gomone nga rrjedha e lumit.
Fatmirësisht, të gjithë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar lëndime.
Policia e Dibrës apelon për kujdes maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, veçanërisht në periudha kur niveli i ujit mund të rritet papritur. Gjithashtu, qytetarët ftohen të njoftojnë menjëherë Policinë në rast nevoje për ndihmë.





