Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur pasditen e së dielës Italinë, pranë kufirit mes rajoneve Lazio dhe Umbria, ku përplasja mes një autobusi dhe një furgoni kampingu ka lënë gjashtë viktima dhe 27 persona të plagosur.
Sipas hetimeve paraprake të Policisë Rrugore, furgoni i kampingut dyshohet se ka kaluar në korsinë e kundërt të lëvizjes, duke u përplasur ballë për ballë me autobusin që po udhëtonte në drejtim të Rietit. Në aksident u përfshinë edhe tre automjete të tjera, ndërsa njëri prej tyre u përmbys si pasojë e përplasjes së fortë.
Mes viktimave janë dy drejtuesit e autobusit, dy pasagjerë të tij dhe dy persona që udhëtonin me furgonin e kampingut.
Nga 27 të plagosurit, katër ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata janë transportuar me helikopterë të urgjencës drejt spitaleve në Romë dhe Terni, ku po marrin trajtim të specializuar.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe dinamikën e aksidentit, ndërsa pritet ekspertiza teknike që do të përcaktojë rrethanat e sakta të kësaj tragjedie.





