Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë identifikuar një tjetër lokacion të dyshuar ku mund të ndodhen mbetje mortore, në kuadër të hetimeve për krimet e luftës.
Zona e identifikuar ndodhet në fshatin Jabukë, në komunën e Zubin-Potokut, ku ekipet hetimore kanë zhvilluar veprime në terren për të verifikuar informacionet e siguruara gjatë procesit hetimor.
Sipas njoftimit të përbashkët të institucioneve, zbulimi është bërë gjatë procedurave që lidhen me zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale pritet t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për autorizimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve përkatëse.
Pas marrjes së lejes nga gjykata, ekipet e Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucioneve të tjera kompetente do të vijojnë operacionin në terren.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas zbulimit të një varri masiv në Kalludër të Vogël, duke intensifikuar përpjekjet e autoriteteve për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë luftës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe se çdo veprim do të kryhet në përputhje me procedurat ligjore, me synim dokumentimin e plotë të rasteve dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.





