Banorë dhe punonjës të administratës në Maliq kanë dalë në protestë kundër reformës së re territoriale, duke kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me një tjetër njësi vendore.
Protesta është zhvilluar para godinës së Bashkisë Maliq, ku qytetarët kanë ngritur shqetësimet e tyre për ndikimin që mund të ketë ndryshimi i hartës administrative në shërbimet publike, përfaqësimin dhe investimet në zonë.
Banorët argumentojnë se Bashkia Maliq, me 81 fshatra dhe rreth 31 mijë banorë, duhet të vijojë të funksionojë si njësi më vete, pasi sipas tyre shkrirja e institucionit vendor do t’i largonte shërbimet nga qytetarët.
“Përse të shkoj në Korçë kur e kam bashkinë këtu? Të mbetet bashkia, për çdo problem të jetë këtu”, u shpreh një prej banorëve gjatë protestës.
Qytetarët kanë deklaruar se do të vijojnë kundërshtimin ndaj propozimeve të reformës territoriale, duke kërkuar që vendimmarrja të marrë parasysh nevojat dhe interesat e komunitetit lokal.





