Pika kufitare e Morinit ka përballuar një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh gjatë muajit korrik, në kulmin e sezonit turistik veror.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë muajit korrik në Morinë, pika që lidh Shqipërinë me Kosovën, janë përpunuar rreth 422 mijë udhëtarë dhe 130 mijë automjete.
Ndërkohë, vetëm në pesë ditët e para të muajit gusht, përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri mbi 90 mijë pushues nga Kosova, mes tyre edhe pjesëtarë të diasporës.
Fluksi më i madh është regjistruar gjatë fundjavës së parë të gushtit, kur në vend kanë hyrë rreth 50 mijë persona.
Rritja e ndjeshme e lëvizjeve lidhet me kulmin e sezonit turistik, pasi mijëra qytetarë nga Kosova vijojnë të zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore.





