Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 11 vjet e 1 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike dhe falsifikim dokumentesh.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet O. D., alias O. K., i cili u lokalizua gjatë operacionit policor të koduar “Wanted 36”, të zhvilluar nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve.
Sipas Policisë së Shtetit, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit të Venecias në Itali e kishte dënuar për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi dhe mbajtja e dokumenteve të rreme”.
Nga dënimi i dhënë prej 11 vjetësh e 1 muaji burgim, atij i kanë mbetur ende për të vuajtur 4 vjet e 15 ditë burg.
Policia bëri të ditur se arrestimi u krye në lagjen nr. 12 të Durrësit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe punës për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim.
“Si rezultat i operacionit, u kap në lagjen nr. 12, Durrës, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi O. D., alias O. K., 40 vjeç”, njoftoi Policia e Shtetit.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.





