20.2 C
Tiranë
Tuesday, September 22, 2026

Ekstradohet nga SHBA Sokol Hoxha, pas 30 vitesh i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekstraduar drejt Shqipërisë Sokol Hoxhën, personin e akuzuar për një vrasje të trefishtë, i cili për rreth tre dekada i është shmangur drejtësisë.

Hoxha, i arrestuar disa muaj më parë në SHBA, tashmë do të përballet me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 1997, vrasjen e dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos.

Ngjarja ka ndodhur më 30 mars të vitit 1997, në një periudhë të trazuar për vendin, ndërsa konflikti që çoi në ngjarjen tragjike dyshohet se nisi pas një debati për një kasetofon makine.

Sipas dosjes hetimore, Ilirjan Banaj kishte pasur një përplasje me Ervin Sulollarin për shkak të një kasetofoni që më pas kishte përfunduar te një person tjetër. Në këtë debat ka qenë i pranishëm edhe Sokol Hoxha, i cili dyshohet se ka ndërhyrë duke goditur me pëllëmbë të dy personat.

Pas konfliktit, Ilirjan Banaj është larguar dhe është kthyer në banesë. Më vonë, ai ka dalë me automjetin e tij dhe, sipas akteve të dosjes, ka qëlluar me armë në ajër në një rrugë të qytetit të Patosit.

Sipas hetimeve, pas marrjes së informacionit për këtë ngjarje, Dritan Selimi, nipi i Sokol Hoxhës, e ka njoftuar atë. Të dy dyshohet se janë armatosur me pistoletë dhe automatik dhe kanë dalë në kërkim të Ilirjan Banajt.

Përballja ka ndodhur në zonën e tregut të fruta-perimeve pranë stacionit të autobusëve në Patos, ku dy vëllezërit Banaj janë përballur me një automjet fuoristradë pa targa, ku udhëtonin Sokol Hoxha, Dritan Selimi dhe Ervin Sulollari.

Sipas dëshmive të administruara në dosje, pas një debati të shkurtër, Sokol Hoxha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj Ilirjan Banajt. Kur Hektori ka dalë nga automjeti për të ndaluar sulmin ndaj vëllait të tij, edhe ai është qëlluar me armë.

Në dosje thuhet se Dritan Selimi ka përdorur automatikun ndaj Hektor Banajt, ndërsa edhe Sokol Hoxha ka qëlluar në drejtim të tij. Pas sulmit, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Një dëshmitar okular i cituar në dosje ka deklaruar se ka parë dy persona të largoheshin me një fuoristradë pa targa, ndërsa mbanin armë zjarri.

Ekspertizat mjeko-ligjore kanë dokumentuar pasojat e rënda të sulmit. Sipas dosjes, në trupin e Ilirjan Banajt janë konstatuar 11 plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa te Hektor Banaj janë evidentuar 4 plagë të rënda me dëmtime në organe jetësore.

Gjykata ka arritur në përfundimin se Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi kanë kryer vrasjen në bashkëpunim, duke i shpallur fajtorë për vrasjen e dy vëllezërve. Në vendim janë marrë parasysh mënyra e kryerjes së krimit, përdorimi i armëve dhe fakti që autorët iu shmangën drejtësisë për vite me radhë.

Përveç çështjes së vrasjes së vëllezërve Banaj, Sokol Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm edhe në Belgjikë për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi.

Pas arrestimit të tij në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimet me palën belge për çështjet e tjera penale ndaj tij. Ndërkohë, autoritetet britanike kanë revokuar pasaportën britanike që Hoxha kishte marrë rreth viteve 2000 me identitetin Hysen Gashi, emër me të cilin kishte hyrë më pas edhe në SHBA.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“Nuk jemi më bashkë”, Sarah konfirmon ndarjen nga DJ PM: “Disa gjëra janë të...

0
Sarah dhe DJ PM i kanë dhënë fund historisë së tyre të dashurisë. Dyshja ka qenë prej kohësh një nga çiftet më të komentuar në...

“Duhet një klimë më e qetë”, Tarquinio në Tiranë: “Ajo që po ndodh në...

0
Është mbajtur sot në Tiranë takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian. Kryetari i delegacionit të Bashkimit Evropian, Marco Tarquinio, gjatë fjalës...

Aksident tragjik në aksin Elbasan–Peqin, makina përplas për vdekje këmbësoren rreth 60 vjeçe

0
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin “Bradashesh-Peqin”, në vendin e quajtur “Paraburgimi”. Sipas informacionit paraprak të...

“Beteja nuk ka mbaruar”, nëna e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila shpërthen pas uljes së...

0
Nëna e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka reaguar me dhimbje dhe zemërim pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Itali për uljen e dënimit...

“Jam i dëshpëruar”, italiani qëlloi grabitësit në pronën e tij, vdes 36-vjeçari me origjinë...

0
“Jam i dëshpëruar.” Kjo është deklarata e Roberto Mollo, 35-vjeçarit italian që gjatë natës qëlloi me armë një grup personash që kishte hyrë në...