Nathan Thomas ka hyrë në historinë e arsimit universitar, duke u shpallur pedagogu më i ri universitar në botë në moshën vetëm 18 vjeç e 346 ditë.
I riu amerikan është regjistruar zyrtarisht në “Guinness World Records”, pasi ka thyer një rekord që kishte mbetur i paprekur për më shumë se tre shekuj. Thomas aktualisht jep mësim për inxhinieri në Miami Dade College, në shtetin e Floridës.
“Përqendrohem thjesht te fakti që ta bëj mirë punën time dhe t’i ndihmoj studentët në çdo mënyrë të mundshme”, është shprehur ai, duke theksuar se mosha nuk është faktori kryesor në punën akademike.
Rekordi i mëparshëm datonte që nga viti 1717, kur matematikani skocez Colin Maclaurin u bë profesor matematike në moshën 19-vjeçare. Për më shumë se 300 vite, askush nuk kishte arritur ta tejkalonte këtë arritje.
Historia akademike e Nathan Thomas ka qenë e jashtëzakonshme që në moshë të vogël. Në moshën 14-vjeçare ai përfundoi studimet në Matematikë në të njëjtin kolegj ku sot zhvillon karrierën si pedagog.
Gjatë kohës si student, ai vendosi gjithashtu një rekord, duke u bërë personi më i ri që ishte diplomuar ndonjëherë në Miami Dade College. Ky rekord u mbajt prej tij deri në prillin e kaluar, kur u thye nga vëllai i tij, i cili u diplomua tre muaj më herët se mosha e Nathan.
Më pas, Thomas vijoi studimet në Florida International University, ku brenda katër vitesh përfundoi me rezultate maksimale si diplomën bachelor, ashtu edhe masterin në inxhinieri elektrike.
Me këtë arritje, 18-vjeçari jo vetëm ka thyer një rekord historik, por ka vendosur një standard të ri për brezat e ardhshëm në fushën akademike.





