Tiranë – Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri në vend, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë në monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 371 forca operacionale dhe 42 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, një autoambulancë e FA-së, 4 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Cikallesh, Dajt dhe Priskë
Në Cikallesh të Kavajës vijon puna për eliminimin e vatrave të mbetura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt dhe Priskë të Madhe, situata po monitorohet dhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Mallakastër dhe Krujë
Në Mallakastër, zjarri në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosh është nën kontroll. Nën kontroll është vendosur edhe situata në Koilaç–Greshicë/Hekal.
Në Abaze të Krujës, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore.
Vijon zjarri në Vilëz të Kurbinit
Në Vilëz të Kurbinit, zjarri vijon të jetë aktiv.
Ndërhyrja e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura gjatë ditës së djeshme ka frenuar përhapjen e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, mes tyre në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.
AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë vendin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe zonave të banuara.





