Një automjet tip Hyundai Tucson është përmbysur në një nga rrugët kryesore të Durrësit, teksa po lëvizte në drejtim të Spitalit Rajonal.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor që lidh kryqëzimin e stadiumit me Drejtorinë e Policisë dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, automjeti po lëvizte në një prej akseve të ngarkuara me trafik, kur, për arsye që ende nuk janë të qarta, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina është përmbysur në rrugë.
Mësohet se automjeti po udhëtonte drejt spitalit, pasi po transportonte për ndihmë mjekësore një vajzë me temperaturë të lartë.
Paraprakisht nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të aksidentit.





