Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 11 prej tyre vijojnë aktive, 3 janë në monitorim dhe 4 janë nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë, si dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në operacione janë përfshirë gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive:
* Dajt, Tiranë: Vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Priskë të Madhe.
* Përmet: Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen, ndërsa zjarrfikësit, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët vijojnë punën për izolimin e flakëve. Nuk raportohet rrezik për banesat.
* Gurë-Lurë, Dibër: Është një nga operacionet më të rëndësishme. Në terren janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe rreziku për to është shmangur. Nga ajri kanë ndërhyrë dy avionë Air Tractor.
* Qafa e Helmes, Bulqizë-Dibër: Zjarri vijon aktiv në terren pyjor, ndërsa operacioni po zhvillohet me efektivë të MZSH-së dhe forca bashkiake.
* Troje, Mirditë: Për izolimin e zjarrit po punojnë zjarrfikës, forca bashkiake, policia, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
* Shkodër: Vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë mbeten aktive. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.
* Elbasan: Zjarret vijojnë aktive në Dardhë të Librazhdit dhe Shalës të Cërrikut. Në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet po vijojnë në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me fokus mbrojtjen e zonave të banuara dhe kufizimin e përhapjes së flakëve.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, po monitoron situatën në mënyrë të pandërprerë dhe po koordinon shpërndarjen e kapaciteteve sipas nevojës.





