Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar të dielën në Zveçan një person me inicialet I.M., i dyshuar për përfshirje në dhunën e majit të vitit 2023, gjatë së cilës u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas një serie veprimesh hetimore.
I.M. dyshohet për disa vepra penale, mes tyre sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, si dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Dhuna në Zveçan shpërtheu më 29 maj 2023, pasi protestuesit serbë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektin e komunës.
Përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë rezultuan në lëndimin e më shumë se 90 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej tyre rëndë. Të lënduar pati edhe në mesin e protestuesve.
Protestat në veri pasuan zgjedhjet lokale të prillit 2023, të cilat u bojkotuan nga shumica e serbëve lokalë. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ndërsa hyrja e tyre në objektet komunale shkaktoi tensione dhe përleshje.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar dhe akuzuar ndër vite dhjetëra persona të dyshuar për dhunën në Zveçan. Disa prej tyre janë dënuar me burgim, përfshirë raste kur të dyshuarit kanë pranuar fajësinë përmes marrëveshjeve me Prokurorinë.
Në janar të këtij viti, autoritetet kosovare arrestuan gjithashtu një person me inicialet S.R., nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestave të vitit 2023. Në banesën e tij u krye edhe një kontroll, ku u gjetën prova materiale që, sipas Prokurorisë, do të përdoreshin në procedurën penale.
Për dhunën në veri të Kosovës në maj 2023, autoritetet kosovare kanë akuzuar grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Beogradi i ka hedhur poshtë këto akuza.
NATO-ja ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që personat përgjegjës për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të mbahen përgjegjës.





