Një vatër zjarri, e dyshuar si e qëllimshme, është regjistruar në fshatin Vukatanë të Shkodrës, duke vënë në alarm shërbimet zjarrfikëse.
Pas sinjalizimit për flakët, ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe kanë arritur ta izolojnë zjarrin, duke shmangur përhapjen e tij drejt zonave të banuara.
Ndërkohë, Policia ka nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në kuadër të hetimeve, një person i dyshuar për ndezjen e qëllimshme të zjarrit është shoqëruar në komisariat.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë në pesë vatra zjarri në rajonin e Shkodrës.
Temperaturat e larta vijojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë.





