Një grabitje e bujshme ka tronditur botën e artit në Itali, pasi katër vepra të çmuara të piktorit të Rilindjes, Antonello da Messina, janë vjedhur nga Muzeu Rajonal i Mesinës, në Sicili.
Vlera e veprave të zhdukura llogaritet në 70–80 milionë euro, duke e bërë ngjarjen një prej grabitjeve më të rëndësishme të artit në Itali.
Mes veprave të vjedhura janë tre nga pesë panelet e mbijetuara të “Poliptikut të San Gregorios”, realizuar në vitin 1473, si edhe një panel dypalësh që paraqet Virgjëreshën Mari dhe Krishtin.
Sipas mediave italiane, autorët kanë hequr të pesë panelet e poliptikut nga korniza, por gjatë arratisjes kanë lënë pas dy prej tyre. Një tjetër vepër është marrë nga një vitrinë e blinduar.
Grabitja ka ndodhur gjatë festimeve të Ferragostos, ndërsa muzeu kishte ende roje dhe sistemet e alarmit dhe të sigurisë rezultonin aktive.
Hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave për të përcaktuar se si autorët arritën të hynin në muze, të çmontonin veprat dhe të largoheshin pa u kapur.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi policia italiane njoftoi rikuperimin e tre veprave të vjedhura të Renoir, Cézanne dhe Matisse, me një vlerë të përbashkët prej rreth 10 milionë eurosh.





