Një aktivist francez për të drejtat e kafshëve ka paguar 300 euro për të blerë një karavidhe të gjallë, jo për ta konsumuar, por për ta shpëtuar dhe liruar në det.
Ngjarja ka ndodhur në Roquebrune-Cap-Martin, në juglindje të Francës, ku Stéphane Lamar, president i një organizate për mbrojtjen e kafshëve që ai themeloi në vitin 2000, ndodhej në një restorant me një mikeshë për të festuar ditëlindjen e tij.
Gjatë vaktit, një kameriere iu afrua tavolinës për t’u prezantuar me kapjen e ditës, e cila përfshinte peshq dhe fruta deti. Mes tyre ndodhej edhe një karavidhe i gjallë.
Lamar e përshkroi skenën si një “skenë tmerri” dhe vendosi të ndërhynte.
“Nuk mund ta duroja atë që po shihja”, deklaroi ai për France 3.
Aktivisti, i cili është vegjetarian, sqaroi se nuk u kërkon restoranteve të ndalojnë së shërbyeri mish apo peshk. Megjithatë, ai tha se do të dëshironte që frutat e detit të mpiheshin përpara se të vendoseshin në ujë të valë.
Në fund, Lamar pagoi 300 eurot që kërkonte restoranti, mori karavidhen me vete dhe e çoi në det, ku e liroi në ujërat e Mesdheut.
Aktivisti tha se nuk e di nëse karavidhja arriti të mbijetonte pas lirimit, por sipas tij, veprimi i tij i dha kafshës një mundësi.
“Të paktën i dhashë një mundësi të dytë për të jetuar”, u shpreh Lamar.
Ky nuk është veprimi i parë i tillë për aktivistin francez. Në vitin 2024, ai kishte blerë tre karavidhe të gjallë nga vitrina e një restoranti në Menton, duke paguar gjithashtu para për t’i liruar.





