Aktorja amerikane Candace Cameron Bure, e njohur për rolin e saj në serialin “Full House”, ka shpërthyer në lot teksa ka folur për kritikat e vazhdueshme që ka marrë ndër vite për zërin e saj.
50-vjeçarja e ndau rrëfimin në podcastin e saj, “The Candace Cameron Bure”, ku kujtoi disa prej komenteve lënduese që ka lexuar në internet.
“Marr shumë kritika për zërin tim. Njerëzit gjithmonë komentojnë se sa bezdisës është zëri im”, tha Bure, ndërsa përlotur u detyrua të merrte një kuti me shami për të fshirë lotët.
Aktorja tregoi se një prej komenteve që e kishte lënduar më shumë ishte ai i një personi që shkruante se ishte detyruar të fikte televizorin, pasi zëri i saj ishte “shumë bezdisës”.
Bure pranoi se komentet negative janë bërë të vazhdueshme dhe se ka qenë e vështirë për të t’i përballuar ndër vite.
Megjithatë, ajo tha se leximi me zë të lartë i vargjeve nga Bibla në rrjetet sociale e ka ndihmuar ta përballojë më mirë situatën. Sipas saj, shumë ndjekës i kanë shkruar duke i thënë se e pëlqejnë zërin e saj dhe se mënyra se si ajo lexon “e bën Biblën të gjallë”.
“Zemra ime është vetëm t’i sjell njerëzit një hap më afër Jezusit”, u shpreh aktorja.
Kështu, ajo që për vite me radhë ka qenë një prej pikave të saj më të kritikuara, është kthyer për Bure në një mënyrë për të komunikuar me ndjekësit dhe për të marrë edhe reagime pozitive.





