Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 02:22 të mëngjesit të sotëm në rrugën dytësore Manzë-Kullë, duke shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari Kleo Vrioni, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përplasur me një bordurë betoni.
Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e automjetit, bashkëshorten e tij, 26-vjeçaren Sara Brugentelli, si dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri. Të tre kanë humbur jetën në vendngjarje.
Paraprakisht dyshohet se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit mbeten ende për t’u përcaktuar nga grupi hetimor.
Në aksident kanë mbetur të plagosur edhe 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe një 16-vjeçar me inicialet K.D. Të dy janë transportuar drejt Tiranës për të marrë mjekim të specializuar.
Gjendja e 16-vjeçarit paraqitet shumë e rëndë. I mituri ka pësuar dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe në pjesën e qafës dhe po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, 26-vjeçari i plagosur ka marrë dëmtime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe dinamikës së aksidentit tragjik.





