Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Lushnje, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe ka plagosur rëndë babanë.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, kur shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës, sëpatë, nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe.
E moshuara nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Më pas, 45-vjeçari dyshohet se ka plagosur rëndë edhe babanë e tij, H. D., 77 vjeç. I moshuari është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas bluve, autori i dyshuar, për të cilin raportohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes.
Forcat e Policisë kanë nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 45-vjeçarit, ndërsa në vendngjarje ndodhet grupi hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e motivit të këtij krimi të rëndë.





