Protesta e banorëve të Divjakës ka hyrë këtë të hënë në ditën e 25-të, ndërsa qytetarët vijojnë të kundërshtojnë reformën e re administrative të propozuar nga qeveria.
Edhe këtë mbrëmje, protestuesit kanë përsëritur kërkesën që Divjaka të ruajë statusin e bashkisë më vete dhe të mos përfshihet në riorganizimin territorial që parashikon bashkimin me Lushnjën.
Gjatë fjalimeve, banorët kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se protesta do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Ata kanë bërë gjithashtu thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Protesta e kësaj të hëne është shoqëruar me marshim në rrugët e qytetit dhe me thirrje kundër reformës administrative.
“Divjaka bashki!” dhe “Mazniku propozon, Divjaka kundërshton” ishin disa prej sloganeve të përsëritura gjatë protestës.
Pas 25 ditësh protestë, banorët shprehen se do të vijojnë qëndrimin e tyre deri në momentin kur kërkesa për ruajtjen e statusit të Divjakës si bashki më vete të merret në konsideratë.
Në përfundim, protestuesit përcollën mesazhin e tyre për mobilizim edhe më të madh në ditët në vijim:
“Nesër edhe më shumë!”





