Të tjera detaje tronditëse kanë dalë nga vrasja e 45-vjeçares Luljeta Obzova në Athinë, e cila u vra nga ish-partneri i saj, 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili pas krimit i dha fund edhe jetës së tij.
Mediat greke raportojnë se vëllai i viktimës ka dëshmuar në Polici se i kishte kërkuar motrës të merrte masa për mbrojtjen e saj, pasi ajo ishte përballur me kërcënime të vazhdueshme nga ish-partneri.
Sipas tij, situata kishte qenë aq shqetësuese sa Allmuça në një rast kishte nxjerrë edhe armën.
“Ajo kishte nxjerrë edhe një armë. I thashë të shkonte te avokati për t’i marrë urdhër-mbrojtjeje”, tha mes të tjerash vëllai i viktimës.
Sipas dëshmisë së tij, pas ndarjes, 48-vjeçari kishte vijuar të ndërhynte në jetën e 45-vjeçares, duke e mbikëqyrur, kërcënuar dhe shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme.
Një tjetër detaj i rëndë lidhet me banesën e viktimës. Vëllai i saj ka treguar se Allmuça kishte një çelës rezervë dhe dyshohet se hynte në shtëpi edhe kur ajo nuk ndodhej aty.
“Kështu që ai ndërroi shtëpi. Dy javë më parë ajo ndërroi edhe bravat, sepse kishte një çelës rezervë dhe kur motra ime shkonte në punë, ai hynte në shtëpi”, tregoi vëllai i viktimës.
Ai shtoi se motra e tij kishte vënë re disa herë se sendet në banesë ishin lëvizur.
“Kur motra ime vinte nga puna, nga një shëtitje, ajo shikonte gjërat që ishin lëvizur. Më thoshte: ‘Dua një dryn nesër’. Unë i thoja: ‘Do të të dërgoj të ndërrosh drynin’”, rrëfeu ai.
Sipas dëshmisë së familjarit, 45-vjeçarja kishte mbetur e pambrojtur edhe pse disa ditë para ngjarjes ishte kërcënuar me armë zjarri.
Megjithatë, sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, viktima nuk kishte bërë një denoncim zyrtar në polici për kërcënimet që po përjetonte. Familjarët kishin dijeni për situatën, por frika dhe kërcënimet nuk ishin raportuar zyrtarisht.
Në dosjet e autoriteteve greke rezulton vetëm një incident i regjistruar në korrik të vitit 2024, në Stacionin e Policisë së Akropolit. Në atë rast, 45-vjeçarja kishte raportuar se një ish-partner, të cilin nuk e kishte identifikuar, i kishte marrë një motoçikletë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe për të përcaktuar nëse kishte pasur sinjale apo denoncime të mëparshme që mund të kishin paralajmëruar përshkallëzimin e situatës.





