Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ishte pjesë e mbledhjes së qeverisë në Pogradec, ku u diskutuan prioritetet për vitin e dytë të mandatit qeverisës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari tha se gjatë takimit prezantoi punën e bërë nga Ministria e Brendshme gjatë muajve të fundit, si edhe objektivat që do të udhëheqin punën në vijim.
“Prezantova disa nga punët e mira që kemi bërë përgjatë këtyre muajve në Ministrinë e Brendshme dhe prioritetet e panegociueshme në vazhdim, me fokus sigurinë publike, modernizimin e Policisë së Shtetit, luftën kundër paligjshmërisë dhe rritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve”, shkruan ministri.
Lamallari iu referua edhe dokumentit “Besa”, të cilin e cilësoi si një dokument strategjik në marrëdhënien e re që qeveria synon të ndërtojë me qytetarët.
“‘Besa’ është një udhërrëfyes i çmuar dhe dokument strategjik drejt marrëdhënies së re që ne do të ndërtojmë me qytetarët dhe jetësimit të objektivit tonë ambicioz për Shqipërinë 2030 në BE”, përfundon Lamallari.





