Menjëherë pas arrestimit të Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut në zonën e Plepave në Durrës, forcat e Policisë kanë zhvilluar një kontroll në banesën e Shpatarakut në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, kontrolli është kryer me urdhër të organeve të drejtësisë, në kuadër të veprimeve hetimore që lidhen me dosjen e AKSHI-t.
Efektivët kanë ushtruar kontroll në ambientet e banesës, ndërsa hetuesit po këqyrin dokumente, pajisje elektronike dhe sende të tjera që mund të kenë vlerë për hetimin.
Kontrolli i banesës është kryer menjëherë pas arrestimit të Shpatarakut, i cili u kap së bashku me Ergys Agasin teksa udhëtonin me një automjet nga Elbasani në drejtim të Durrësit.
Shpataraku, ish-punonjës policie, ndodhej në shoqërinë e Agasit, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse materialet e sekuestruara mund të kenë lidhje me çështjen nën hetim.





