Aktori i njohur Tim Curry ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Ai u bë veçanërisht i famshëm për interpretimin e personazhit Dr. Frank-N-Furter në filmin kult “The Rocky Horror Picture Show”.
Sipas burimeve të cituara nga TMZ, Curry, i cili prej më shumë se një dekade përballej me probleme të rënda shëndetësore, ndërroi jetë mbrëmjen e së martës, më 25 gusht, në shtëpinë e tij në Los Angeles.
Curry e nisi karrierën në Hollywood në fund të viteve ’60, përpara se të arrinte suksesin e madh me “The Rocky Horror Picture Show”.
Edhe pse fillimisht filmi nuk u prit veçanërisht mirë nga kritikët, më pas fitoi një jetë të dytë dhe u shndërrua në një fenomen kulturor përmes shfaqjeve të mesnatës, duke u kthyer në një prej filmave kult më të njohur.
Aktori u bë gjithashtu i njohur për interpretimin e Pennywise në përshtatjen televizive të romanit “It” të Stephen King, në vitin 1990, si dhe për rolin e z. Hector në “Home Alone 2: Lost in New York”.
Në filmografinë e tij përfshihen gjithashtu “Annie”, “The Hunt for Red October”, “Muppet Treasure Island”, “Addams Family Reunion” dhe “Scary Movie 2”.
Problemet e rënda shëndetësore
Tim Curry vijoi të ishte aktiv në kinema dhe teatër, por problemet shëndetësore kufizuan ndjeshëm aktivitetin e tij gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2012, aktori pësoi një goditje të rëndë në tru, pas së cilës iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në tru.
Vitin e kaluar, rreth periudhës kur publikoi kujtimet e tij me titull “Vagabond”, Curry kishte deklaruar se ende nuk ishte në gjendje të ecte.
Me një karrierë që përfshin disa dekada në teatër, televizion dhe kinema, Tim Curry do të kujtohet veçanërisht për interpretimet e tij ikonike dhe për personazhet që u shndërruan në pjesë të kulturës popullore.





