Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në këtë drejtim, duke vënë theksin te dokumentet e Ushtrisë Jugosllave dhe veçanërisht te dosjet e Brigadës së Motorizuar 37, për të cilën ai pretendon se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.
“Mos harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet që do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Më duhet ta ritheksoj që një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë deklaroi se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044 për hapjen e këtyre dokumenteve, duke kërkuar që procesi të përshpejtohet.
“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin që dje, që pardje”, u shpreh ai.
Kurti kërkoi gjithashtu angazhim dhe trysni nga Bashkimi Evropian ndaj Beogradit, duke argumentuar se Serbia synon anëtarësimin në BE dhe përfiton fonde të konsiderueshme nga Unioni.
Ai e lidhi klasifikimin e dosjeve edhe me vitin 2014, duke iu referuar rolit që, sipas tij, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte në atë periudhë.
“Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu dhe koordinatori i shërbimeve sekrete informative”, tha Kurti.
Më tej, kryeministri në detyrë vijoi duke vënë në dukje pozicionin që mbante Vuçiç në kohën kur, sipas tij, u klasifikuan dokumentet.
“Tash merreni me mend, ky që është presidenti i Serbisë sot, në vitin 2014 kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e brigadës së motorizuar 37, ka qenë ministri i Mbrojtjes dhe koordinatori i shërbimeve informative dhe sekrete të Serbisë”, u shpreh Albin Kurti.
Kurti kërkoi që hapja e arkivave të mos shtyhet më tej, duke e konsideruar qasjen në dokumentet e luftës si një element të rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vendosjen e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.





