“Mos e prek Memaliajn!” Me këtë mesazh dhe pankarta në duar, banorë të Memaliajt kanë dalë në aksin kryesor që lidh qytetin me zonat e tjera, në shenjë proteste kundër bashkimit të Memaliajt me Tepelenën.
Banorët kanë zgjedhur të bllokojnë aksin, në pritje të kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhej në Gjirokastër për një takim lidhur me reformën territoriale.
Por tentativa e tyre ka dështuar, pasi, sipas banorëve, Rama ishte larguar me helikopter.
Ata kundërshtojnë çdo ndryshim që, sipas tyre, do të bashkonte Memaliajn me Tepelenën dhe kërkojnë që qyteti të ruajë identitetin dhe njësinë e tij administrative.
Me pankartat “Mos e prek Memaliajn!”, banorët kërkuan që zëri i tyre të dëgjohet përpara se të merren vendime për hartën e re territoriale.





