Çmimet e naftës dhe benzinës në tregun vendas kanë shënuar një tjetër rritje të fortë, duke iu afruar niveleve rekord të regjistruara gjatë periudhës së nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas një vëzhgimi të “Monitor”, ditën e sotme nafta në pikat me pakicë është tregtuar me 226 deri në 229 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte çmimi i mëparshëm. Kjo përfaqëson një rritje prej 7 deri në 10 lekësh për litër.
Rritje të ndjeshme ka pësuar edhe benzina. Nga 205 lekë për litër që ishte më parë, sot ajo ka nisur të tregtohet me 216 deri në 219 lekë për litër, duke u shtrenjtuar me 11 deri në 14 lekë për litër.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas ishte rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër para nisjes së konfliktit.
Sipas të dhënave të publikuara, kjo është rritja më e lartë e çmimeve të karburanteve që prej vitit 2022, kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Në mars të vitit 2022, çmimi i naftës arriti për vetëm një ditë nivelin rekord prej 265 lekësh për litër, ndërsa për disa ditë rresht nafta u tregtua në intervalin 230-235 lekë për litër.
Rritja në tregjet ndërkombëtare
Rritja e fundit e çmimeve në tregun vendas erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare më 10 shtator.
Dy ditë më parë, nafta “Brent crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 dollarësh për fuçi, nga rreth 100 dollarë që tregtohej më parë. Ndërkohë, ditën e sotme në bursa nafta po tregtohet me rreth 104 dollarë për fuçi.
Shtrenjtim të ndjeshëm është regjistruar edhe te çmimi “Platts”, i cili përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve.
Çmimi final i “Platts” arriti në 1,619 dollarë për ton, me një rritje prej 165 dollarësh për ton krahasuar me çmimin e mëparshëm. Më 10 shtator 2026, çmimi i naftës “Platts HCIF” ishte 1,571.5 dollarë për ton, ndërsa së bashku me premiumin prej 30 dollarësh për ton dhe përllogaritjen përkatëse, çmimi final arrinte në rreth 1,619.13 dollarë për ton.
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është ndikuar nga situata e konfliktit në Jemen, që ka sjellë rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet rreth 20% e prodhimit botëror, si edhe nga vështirësitë e kalimit përmes Detit të Kuq.
Operatorët: Situata “më e rëndë se kurrë”
Operatorët e tregut paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej.
Ata pohojnë se, me bllokimin e tubacionit kryesor në Arabinë Saudite dhe vështirësitë në Detin e Kuq të shkaktuara nga hutët, çmimet mund të kapin të hënën nivele të papara më parë në histori.
Sipas operatorëve, e kombinuar edhe me situatën në Ukrainë, kriza aktuale përbën një nga situatat më të rënda të regjistruara ndonjëherë në tregun global të naftës.
Ata paralajmërojnë se ekziston rreziku që tregu të përballet me mungesa të produktit, pasi prodhuesit globalë po bëjnë plane për të bllokuar totalisht eksportet, ndërsa gjatë shtatë muajve të fundit rezervat komerciale dhe strategjike janë ulur në nivele shumë të ulëta.
Operatorët i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që të reflektojë seriozisht për situatën, duke argumentuar se ajo nuk mund të zgjidhet me borde apo ndërhyrje populiste përmes faqeve që publikojnë çmimet.
Sipas tyre, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka marrë masa lehtësuese për uljen e barrës fiskale, e cila, sipas operatorëve, është ndër më të lartat në rajon.
Ata pretendojnë gjithashtu se, përkundrazi, rritja e çmimit të naftës ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit përmes arkëtimeve fiskale.





