Flamujt shqiptarë kanë rrethuar shtëpinë e Hashim Thaçit, ndërsa në Prishtinë qytetarët janë mbledhur për “Marshin për Liri”, në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Pamjet nga banesa e Thaçit janë publikuar pak para nisjes zyrtare të marshimit, të parashikuar për në orën 14:00. Qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshet e Prishtinës që përpara orarit të përcaktuar për tubimin.
Sipas raportimeve nga Kosova, fluksi i automjeteve ka krijuar kolona edhe në Sllatinë, në hyrje të kryeqytetit.
Pjesëmarrës janë nisur drejt Prishtinës edhe nga qytete të tjera të Kosovës. Nga Prizreni, qytetarët që udhëtuan për t’iu bashkuar tubimit deklaruan se ishin organizuar me më shumë se 15 autobusë.
“Marshi për Liri” zhvillohet në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pjesëmarrësit e kanë lidhur marshimin edhe me zhvillimet e pritshme në procesin gjyqësor, duke kërkuar lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së dhe duke deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri.
Tubimi i sotëm ka sjellë qytetarë nga disa zona të Kosovës drejt Prishtinës, ndërsa flamujt kuqezi të vendosur rreth shtëpisë së Hashim Thaçit janë bërë pjesë e pamjeve të publikuara në ditën e marshimit.





