Është dënuar me 12 vite burgim Enedjos Guri, i riu që rreth një vit më parë vrau me thikë në fshatin Pirg të Maliqit bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejo.
Vendimi për dënimin e të miturit është marrë më 9 shtator 2026, nga një trupë gjykuese në Gjykatën e Korçës. Pasi ka vlerësuar provat e paraqitura në dosjen penale, gjykata ka vendosur ta dënojë autorin me 12 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje”.
“…ky dënim ndaj 15-vjeçarit Guri, është dhënë për shkak të moshës së mitur të tij, pasi nëse do të ishte mbi 18-vjeç, ai do të kishte një dënim më të lartë…”, tha një burim i gazetarit Elton Qyno.
Sipas raportimit, i pandehuri Guri, megjithëse minoren gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, nuk ka shfaqur pendesë dhe nuk ka kërkuar falje para Gjykatës së Korçës për krimin që i mori jetën 14-vjeçarit Erald Xhejo.
Thuajse në të gjitha seancat, i mituri shfaqej duke qeshur dhe, sipas raportimit, pa shfaqur ndjenjë faji për krimin.
Që prej momentit të arrestimit, Guri mbahet i izoluar në burgun e të miturve në Kavajë, ku pritet të vuajë edhe dënimin prej 12 vitesh heqje lirie.
Në të njëjtën çështje penale ishin të pandehur edhe babai i tij, Edison Guri, xhaxhai Roland Guri dhe Flori Çela. Ata janë dënuar nga gjykata për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Ngjarja e ndodhur në fshatin Pirg të Korçës, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Erald Xhejo, është filmuar nga një kamera e lokalit “Amar”, pranë të cilit ndodhi krimi.
Pamjet filmike të sekuestruara nga Policia e Korçës kanë dokumentuar dinamikën e ngjarjes, ku 15-vjeçari Enedjos Guri ndjek dhe godet me thikë në kraharor bashkëmoshatarin e tij.
Hetimet zbuluan se përplasja nuk ishte e rastësishme, por kishte ardhur pas një sherri të mëparshëm mes dy të miturve.
Sipas gazetarit Elton Qyno, filmimet e administruara në dosjen hetimore tregojnë momentet e përleshjes, ku Enedjosi e ndjek viktimën me një thikë në dorë, ndërsa Eraldo përpiqej të mbrohej.
Gjatë konfliktit, goditja në kraharor rezultoi fatale për të miturin Xhejo. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi plagën e thellë në kraharor si shkak të vdekjes, ndërsa në rrobat e viktimës u gjetën njolla gjaku të përputhshme me dëmtimet e shkaktuara nga mjeti prerës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht 2025 dhe shkaktoi tension të madh mes familjes së viktimës dhe familjes së autorit.
Pas ngjarjes, babai dhe xhaxhai i autorit, Edison dhe Roland Guri, dyshohet se kanë kryer veprime për të fshehur përgjegjësinë penale. Ata fillimisht u arrestuan dhe u lanë në burg, por më pas u liruan nga Gjykata e Apelit, duke u përballur me akuzat për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Sipas grupit të hetimit, babai dhe xhaxhai kanë larë thikën e përdorur në krim dhe më pas e kanë fshehur, me qëllim që ajo të mos gjendej nga organet hetimore.





